Procesi i kompensimit

Menjëherë pasi Banka Qendrore e Kosovës të ketë revokuar licencën dhe të ketë mbyllur bankën, depozituesit do të informohen përmes njoftimeve nga Fondi për Sigurimin e Depozitave në Kosovë në mjetet e informacionit, ueb-faqen e FSDK-së dhe njoftime të shkruara në zyrat e degës së bankës së mbyllur. Shpalljet do të informojnë depozituesit për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, në lidhje me emrin dhe vendndodhjen e një banke të zgjedhur për pagesën e kompensimit dhe datën e mundshme të fillimit të kompensimit, si dhe procesin e kompensimit.

Rimbursimi i depozitave të siguruara  nëpërmjet bankës agjente së zgjedhur për pagesën e kompensimit, do të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur pas revokimit të licencës dhe mbylljes së bankës. FSDK-ja do të përfundojë rimbursimin e të gjitha kërkesave të verifikuara në mënyrë të rregullt brenda 30 ditëve pas mbylljes së bankës. FSDK-ja është e lejuar për të bërë neto pagesa të pjesshme paradhënie me kërkesën e depozituesit brenda afatit prej 30 ditëve.